Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kujtuar policin Enver Zymberi i cili u vra në vitin 2011.
Selimi ka thënë se Zymberi sot do të festonte ditëlindjen e tij të 40-të.
Ai ka thënë se edhe pas 8 vjetësh nga vrasja e tij, ende nuk ka drejtësi për të.
“Edhe tetë vite pas, atje ende veprojnë grupe kriminale që vranë Enverin, ashtu siç në krye të shtetit të Kosovës ende është përgjegjësi kryesor që i vuri në kurth Policinë e Kosovës”, ka shkruar Selimi.
Postimi i plotë:
Ditëlindja e Heroit Enver Zymberi
Sot është ditëlindja e Enver Zymberit. Sot familja dhe kolegët e tij të punës do t’ia uronin ditëlindjen e tij të 40-të.
Enveri lindi më 3 Prill 1979 në Dubovc të Vushtrrisë. Ishte zyrtar policor në Policinë e Kosovës. Shërbente me nder e përkushtim siç kishte shërbyer edhe si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftë.
Kaluan rreth 8 vite prej kur më 26 korrik 2011 Enver Zymberi u vra në rajonin e Leposaviqit në një pritë që ia zunë Policisë dhe shtetit të Kosovës.
Enveri u vra sepse ra në prite të grupeve kriminale të Serbisë brenda në Kosovë por edhe pse na ra në kurthin e parapolitikës së udhëhequr nga urdhëdhënës qeveritaro-policor.
Edhe 8 vite pas rënies së Enverit nuk ka drejtësi as për Enverin e as në vendin ku ra Enveri. Edhe tetë vite pas, atje ende veprojnë grupe kriminale që vranë Enverin, ashtu siç në krye të shtetit të Kosoves ende është përgjegjësi kryesor që i vuri në kurth Policinë e Kosovës. /Telegrafi/