Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka komentuar bastisjet që janë bërë nga hetuesit e Speciales në zyrat e OVL-UÇK-së dhe arrestimin e kryetarit të kësaj organizate Hysni Gucati dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj.
Selimi ka thënë se OVL është shndërruar në palën e mesit ku njëra dërgoi dosje dhe tjetra mori ato, transmeton Telegrafi.
“OVL-ja mbeti në mes. U shndërrua në palën e mesit, mes dy palëve ku njëra dërgoi dosje e tjetra i mori ato. Njëra palë hodhi ‘rrufenë’ e tjetra hodhi pranga. Rrufeja dhe reja që e shkrepte u lanë enigmatike ndaj arrestimi i dy drejtuesve të OVL nuk kishte pse të ndodhte”, është shprehur ai në një postim në Facebook.
Kujtojmë se hetuesit e Speciales kanë bastisur ditën e premte zyrat e OVL-UÇK-së në Prishtinë, ku më pas kanë arrestuar kryetarin Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “frikësim të dëshmitarëve”./Telegrafi/
OVL-ja mbeti në mes. U shndërrua në palën e mesit, mes dy palëve ku njëra dërgoi dosje e tjetra i mori ato. Njëra palë hodhi “rrufenë” e tjetra hodhi pranga.
Rrufeja dhe reja që e shkrepte u lanë enigmatike ndaj arrestimi i dy drejtuesve të OVL nuk kishte pse të ndodhte.— Rexhep Selimi (@RexhepSelimi_10) September 26, 2020