Site icon Telegrafi

Sekuestrohet një armë, katër gëzhoja dhe 46 fishekë – arrestohet një i dyshuar në Rahovec

Një person është arrestuar për veprën “Posedim të paligjshëm dhe përdorim të armës”, e cila ngjarje ka ndodhur të dielën rreth orës 18:30 në fshatin Xërxë-Rahovec.

Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar: arma e përdorur, katër gëzhoja si dhe 46 copë fishekë.

“Më datën 27 Tetor 2024 rreth orës 18 e 30, zyrtarët policorë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë kanë ndërmarrë një veprim të shpejtë dhe efikas për kapjen dhe ndalimin e një personi të dyshuar për posedim të paligjshëm dhe përdorim të armës, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Xërxë-Rahovec.

Një patrullë e trafikut rajonal, gjatë patrullimit të saj rutinë, ka vërejtur një të dyshuar mashkull të moshës madhore duke shtënë me armë zjarri. Pas identifikimit të vendndodhjes së të dyshuarit, patrulla policore ka reaguar menjëherë duke arritur të lokalizojë dhe të arrestoj të dyshuarin. Në vendin e ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar arma e përdorur, katër gëzhoja, si dhe 46 copë fishekë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë si dhe është iniciuar rast “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë publike dhe në reagimin e shpejtë ndaj çdo situate që cenon rendin dhe qetësinë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version