Telegrafi

Sekuestrohen 2 tonë naftë në një shtëpi në Tiranë, dyshohet për kontrabandë

Policia e Shtetit ka njoftuar sot se ka sekuestruar 2 mijë litra naftë në një shtëpi në Tiranë.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga 47-vjeçarin A.H.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas tregtonte naftë të kontrabanduar, në banesën e tij, në Kashar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel 3”, sqaron policia.

“Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Kashar, pasi në ambientet e jashtme të banesës së tij u konstatua një depozitë metalike, e mbushur me 2000 litra naftë, të dyshuara të kontrabanduara”, njoftoi policia.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 47-vjeçari e mbante naftën e kontrabanduar me qëllim tregtimin e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/