Telegrafi

Sekuestrimi i vilave të politikanëve dhe biznesmenëve në Brezovicë, prokurori Maloku jep detaje

Mbi 50 objekte janë sekuestruar përkohësisht të martën në Brezovicë, në mesin e tyre dhe një hotel. Këto objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Sipas tij, gjatë ditës së sotme pritet të sekuestrohen përkohësisht rreth 70 objekte, mirëpo për shkak të kushteve atmosferike puna do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme.

Rasim Maloku, prokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj

Prokurori Maloku tregoi se pronarët e të gjitha objekteve të sekuestruara përkohësisht janë shqiptarë.

“Deri më tani janë sekuestruar afër 50 objekte, por operacioni është duke vazhduar, dhe pretendojmë që të sekuestrojmë gjatë ditës së sotme diku 70 objekte. Një hotel ISKOS e kemi sekuestruar. Pronarët e objekteve të gjithë janë shqiptarë. Operacioni do të vazhdoj dhe disa minuta, pasi dhe zyrtarët e kanë të vështirë punën e tyre. Operacioni do të vazhdojë, por për shkak të kushteve atmosferike do të shohim nëse operacioni do të vazhdojë këtë javë apo javën tjetër”, ka thënë Maloku.

Prokurori i rastit po ashtu theksoi se lejet e ndërtimit janë lëshuar që nga viti 2017 nga Komuna e Shtërpcës, konkretisht drejtoria e Urbanizimit.

“Nga Komuna e Shtërpcës, konkretisht nga Drejtoria e Urbanizimit, prej vitit 2017 e tutje janë lëshuar lejet e ndërtimeve të këtyre objekteve”, tha ndër të tjera Maloku.

Objekt i sekuestruar në Brezovicë

Siç merr vesh Telegrafi, pronar të këtyre objekteve janë politikanë, investitor, biznesmen e qytetarë.

Ndryshe, sekuestrimi i këtyre objekteve u bë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Këto objekte sipas Prokurorisë, “janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”. /Telegrafi/

Objekt i sekuestruar në Brezovicë