Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me vendimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK për të sekuestruar inceneratorin e Tiranës.
Gjatë një konference për media, Meta e cilësoi lajmin si tepër pozitiv, po tha se duhej të ishte marrë kohë më parë.
Kreu i PL theksoi se përmes skemës së inceneratorëve, qeveria ka blerë dy palë zgjedhje dhe se paratë përdoren për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
“Këtë lajm të fundit e vlerësojmë te vonuar, por është një lajm pozitiv. Faktet janë atje prej vitesh, veprat janë aty. Por ajo që dua të theksoj është që të tre çështjet Elbasani, Tirana dhe Fieri janë një çështje. Praktikisht kemi të bëjmë me një aferë të ideuar nga një grup i strukturuar kriminal. Është afera më e madhe kriminale që është konkretizuar brenda pak orësh me 17 vendime qeveria”, shtoi Meta.
“Shumë ministra kanë refuzuar, kanë qenë kundër dhe kanë paralajmëruar për shkelje të ligjit. Kështu që kjo është kryevepra kriminale. Dihet që inceneratorëet janë ndërmarrje e rilindjes me të cilën janë blerë dy palë zgjedhje dhe paratë përdoren për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta. /Telegrafi/