Telegrafi

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në Bucha: Nevojitet hetim i plotë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha sot gjatë një vizite në qytetin ukrainas Bucha, vendi i krimeve të dyshuara të luftës nga forcat ruse, se ai mbështet plotësisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) dhe i bëri thirrje Rusisë të bashkëpunojë me institucionin.

“Unë e mbështes plotësisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe i bëj thirrje Federatës Ruse që të pranojë bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por kur flasim për krimet e luftës, nuk mund të harrojmë se krimi më i keq është vetë lufta”, tha Guterres, transmeton BBC.

Pas Borodyanka dhe Bucha, ndalesa e tretë e shefit të OKB-së ishte Irpin.

Gjatë gjithë rrugës ai kaloi skena të shkatërrimit të tmerrshëm: shtëpi, dyqane, infrastrukturë të shkatërruar në gërmadha të djegura nga bombat dhe luftimet. Forcat ruse pushtuan territorin këtu afër Kievit për pjesën më të madhe të marsit.

Por si në Bucha dhe Borodyanka ai i zgjodhi fjalët e tij me kujdes, duke folur për luftën në përgjithësi dhe duke mos fajësuar apo kritikuar drejtpërdrejt Rusinë.

Kolona e OKB-së është kthyer në Kiev për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky, i cili më parë kritikoi Guterres për vizitën në Moskë së pari, përpara se të shihte se çfarë kanë bërë trupat e tij në Ukrainë. /kp/Telegrafi/