Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke vlerësuar kundërofensivën e forcave ukrainase, tha se ukrainasit tejkaluan pritjet.
“Ukrainasit gradualisht po rikthejnë vendin e tyre – që do të thotë se po i shtyjnë rusët dhe janë në gjendje të tejkalojnë disa prej territoreve të fortifikuara, përfshirë këtu fushat e minuara. Është shumë e rëndësishme që t’i mbështesim. Ajo çfarë kemi parë është se ukrainasit nga fillimi kanë tejkaluar pritjet dhe duhet kujtuar se gjithçka filloi vitin e kaluar pas pushtimit rus në shkallë të gjerë”, tha Stoltenberg, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu theksoi se asokohe analistët besonin që Ukraina do t’i bëjë ballë rusëve vetëm disa ditë apo javë.
“Kanë çliruar veriun, rreth Kievit, lindjen dhe rreth Kharkivit dhe territorin në jug, Kherson. Tani po fitojnë çdo herë e më shumë”, shtoi kreu i Aleancës më të madhe ushtarake.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me dallimet në vlerësimin e taktikave kundërsulmuese midis ushtrive perëndimore, Stoltenberg vuri në dukje se ekziston një dialog i vazhdueshëm midis aleatëve të NATO-s dhe një dialog me Ukrainën.
Stoltenberg beson se ukrainasit duhet të ndihmohen me këshilla dhe mbështetje, “por në fund të ditës, ato vendime të vështira duhet të merren nga ukrainasit, komandantët e tyre në fushëbetejë”. /Telegrafi/