E vetmja mënyrë efektive për të dërguar ndihma humanitare në Gazë është rruga, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Menjëherë pas takimit me presidentin dhe ministrin e jashtëm të Egjiptit në Kajro, Guterres foli edhe për ndikimin që ka lufta në Gazë në të gjithë globin.
“Sulmi i përditshëm ndaj dinjitetit njerëzor të palestinezëve po krijon një krizë në komunitetin ndërkombëtar”, tha Guterres.
Këto deklarata vijnë ndërsa sekretari po viziton Egjiptin dhe Jordaninë si pjesë e një turneu vjetor në shenjë solidariteti me vendet myslimane për muajin e Ramazanit, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Ndërsa shpresat për një armëpushim në Gazë gjatë Ramazanit janë zbehur dhe rreziku i urisë është rritur, SHBA-ja dhe vendet e tjera kanë filluar ofrimin e ndihmave nga ajri.
Por, sipas OKB-së, ndihmat mund të jenë efektive vetëm nëse dërgohen nga toka, duke akuzuar kështu Izraelin që po e pengon hyrjen e tyre.
Gjithashtu, Guterres ka bërë të ditur se Kombet e Bashkuara po punojnë shumë për të mbështetur fondet për agjencinë e saj për refugjatët palestinezë, UNRWA, të cilën ai e quajti shtyllën kurrizore për ndihmën humanitare brenda Gazës. /Telegrafi/