Më 24 mars, me fillim në ora 11:00 do të mbahet në Gjykatën Speciale konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Seanca do të mbahet ndaj katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit do të mbahet më 24 mars në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. /Telegrafi/