Site icon Telegrafi

Së shpejti “Përballje Podcast”, seria e dytë në kohën e zgjedhjeve – tema për dezinformimin, keqinformimin dhe rëndësinë e organizatave mediale

Së shpejti “Përballje Podcast”, seria e dytë në kohën e zgjedhjeve, me tema për dezinformimin, keqinformimin dhe rëndësinë e organizatave mediale.

Ndërsa Kosova po i afrohet zgjedhjeve të saj parlamentare në fillim të vitit 2025, peizazhi politik po formësohet gjithnjë e më shumë nga një rritje e lajmeve, fushatave digjitale dhe përmbajtjeve të paverifikuara që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Hulumtimet e mëparshme të organizatave ndërkombëtare tregojnë se periudhat elektorale janë veçanërisht të ndjeshme ndaj çrregullimeve të informacionit.

Gjatë këtyre periudhave, ne shpesh shohim një rritje të retorikës së ashpër politike, gjuhës së urrejtjes, keqinformimit, dezinformimit dhe sulmeve mizogjene, veçanërisht ndaj grave kandidate.

Në muajt kritikë para zgjedhjeve, si dhe në vetë ditën e zgjedhjeve dhe në periudhën paszgjedhore, nevoja për të dalluar të vërtetën nga shtrembërimi, bëhet parësore. Sigurimi që elektorati është i informuar saktë dhe drejt është thelbësor për ruajtjen e integritetit të procesit demokratik.

Në përgjigje të shqetësimeve në rritje për ndikimin e dezinformatave e ndërhyrjeve të huaja, Telegrafi.com do të nisë edicionin e dytë të “Përballje Podcast“, me autor Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i mediumit, duke u mbështetur në suksesin e serisë së parë.

Sezoni i ri me tetë episode do të fokusohet në çështjet kritike që lidhen me ndikimin e huaj anti-demokratik, përhapjen e çrregullimit të informacionit dhe vazhdimin shqetësues të dhunës ndaj grave në politikë. Të gjitha brenda kontekstit shumë të ngarkuar të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë.

Nëpërmjet diskutimeve të thella dhe analizave të ekspertëve, në këtë seri të podcastit do të shqyrtojmë se si këto sfida komplekse mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, opinionin publik dhe sjelljen e votuesve.

Çdo episod është projektuar për të fuqizuar audiencën me njohuri, duke i pajisur me mjetet për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin që hasim gjatë kësaj periudhe zgjedhore.

Kjo iniciativë nënvizon rëndësinë e së vërtetës dhe transparencës në diskursin elektoral, duke u ofruar lexuesve e shikuesve një qasje më të thellë për tema të tilla.

 “Përballje Podcast” realizohet me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë. Opinionet e shfaqura në këtë Podcast nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet dhe qëndrimet e NDI dhe USAID. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version