Telegrafi

Së pari Cristiano Ronaldo dhe tani Luka Modric: Mbappe tregon admirim për legjendat e Real Madridit

Talenti i madh francez i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe si duket po i bënë ‘lajka’ klubit të madh spanjoll, Real Madridit, me të cilët ka qenë i lidhur disa herë për t’u transferuar.

Franca ka fituar ndaj Kroacisë në udhëtim me rezultat 1-2 falë golave të Antoine Griezmann dhe Mbappe në kuadër të Ligës së Kombeve.

Pas ndeshjes, Mbappe vazhdoi shfaqjen e admirimit ndaj disa prej yjeve më të mëdhenj të lojës, ndërsa i dërgoi një mesazh kroatit Luka Modric.

Mbappe shfrytëzoi rrjetet sociale për të shkruar mesazhin ndaj legjendës së Real Madridit.

“Respekt total, Luka Modric”, ishte mbishkrimi i 21-vjeçarit, i cili ia bashkëngjiti edhe një fotografi së bashku me fituesin e Topit të Artë.

Pas këtij postimi, nuk mungoi edhe përgjigja nga Modric: “E njëjta gjë për ju, superyll”, ishte përgjigja e kroatit.

Postimi i Mbappes po cilësohet si ‘lajkë’ ndaj Real Madridit, pasi para disa ditësh, por edhe në të kaluarën ka bërë mesazhe ndaj legjendës Cristiano Ronaldo. /Telegrafi/