Telegrafi

Scholz thotë se do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian

Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor përpara se të mbahet një takim i Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm, duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare, u tha Scholz ligjvënësve në Berlin të enjten.

“… Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, ka thënë ai, duke treguar ndikimin e “fuqive të jashtme” në rajon, përfshirë Rusinë.

Ndryshe, vë në pah Al Jazeera, Scholz në prill kishte bërë thirrje që përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në të përshpejtoheshin në mes të një “epoke të re” në vazhdën e agresionit rus në Ukrainë.

Por siç kujton mediumi në fjalë, në tetor të vitit të kaluar, liderët e BE-së në një samit në Slloveni vetëm përsëritën “angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit” në një deklaratë që zhgënjeu gjashtë kandidatët për anëtarësim në BE, të cilët kishin shpresuar për një afat konkret.

E kancelari gjerman tha të enjten se do të marrë pjesë në samitin e BE-së në fund të majit “me mesazhin e qartë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”. /Telegrafi/