Telegrafi

Scholz: Gjermania do të peshojë me kujdes çdo hap para se të dërgojë tanke në Ukrainë

Gjermania do të vazhdojë të “peshojë me kujdes çdo hap” dhe të konsultohet me aleatët për dërgesat e mëtejshme të armëve në Ukrainë, ka thënë kancelari, Olaf Scholz ndërsa po përballet me thirrjet për të dërguar tanke luftarake të prodhimit gjerman në Kiev.

Gjermania i ka dhënë Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake që nga pushtimi i Rusisë, duke përfshirë obusët, armët kundërajrore vetëlëvizëse, Gepard dhe të parin nga katër sistemet e raketave tokë-ajër IRIS-T, raporton skynews.

Javën e kaluar, ajo njoftoi se do të dërgonte 40 transportues të blinduar personeli Marder – një hap që erdhi së bashku me lëvizjet e ngjashme të SHBA-së dhe Francës – si dhe një bateri raketash të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Por kritikët, disa brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë, janë ankuar prej kohësh për hezitimin e kancelarit për të ndërmarrë hapin tjetër kur bëhet fjalë për dërgesat e armëve.

Scholz ka qenë i kujdesshëm ndaj një presioni të tillë, duke këmbëngulur se Gjermania nuk do të shkonte e vetme me dërgesa të tilla gjersa theksonte nevojën për të siguruar që NATO të mos bëhet palë në luftë me Rusinë.

Të enjten, zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, i cili nuk është anëtar i partisë së Scholzit, tha se vendi i tyre “nuk duhet të pengojë nëse vendet e tjera marrin vendime për të mbështetur Ukrainën, pavarësisht nga vendimi që merr Gjermania”.

I pyetur nëse Gjermania tani ishte e përgatitur për të furnizuar Ukrainën me tanke Leopard 2, Scholz nuk iu drejtua në mënyrë specifike atyre automjeteve të veçanta.

Ai u përgjigj me një listë të gjatë materialesh që Gjermania ka dhënë në koordinim me aleatët dhe tha se Berlini do të mbajë “pozitën udhëheqëse” si një nga mbështetësit kryesorë të Kievit.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/