Kancelari gjerman Olaf Scholz pati një bisedë telefonike me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, e cila iu kushtua “sfidave të politikës së sigurisë në Evropë”.
Këtë e ka konfirmuar Steffen Hebestreit, zëdhënës i qeverisë gjermane, transmeton Telegrafi
Të dy palët “ranë dakord se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe se është thelbësore të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur drejt një paqeje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme”.
Në të njëjtën kohë, Scholz konfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Gjatë fushatës, presidenti i zgjedhur amerikan premtoi t’i jepte fund luftës në Ukrainë “në 24 orë”.
Ekipi i Donald Trump aktualisht është duke punuar në një plan për t’i dhënë fund armiqësive në Ukrainë, dhe së fundmi ai deklaroi se kishte bërë “përparim”.
Më herët, presidenti i zgjedhur i SHBA-së deklaroi se nuk do ta “braktiste Ukrainën” në përpjekjet e tij për të zgjidhur luftën ruso-ukrainase. /Telegrafi/