Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu i ë është përgjigjur SBASHK-ut në lidhje me çështjen e sigurimit të teksteve shkollore. Nagavci thotë se vendimi është në të mirë të punëtorëve që SBASHK-u i përfaqëson.
Që nga viti 2008 Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore.
Mirëpo kjo praktikë ka ndryshuar duke filluar nga ky vit shkollor.
Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve paratë në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat në librari.
Pos subjekteve opozitare edhe nga SBASHK-u kanë ardhur kritika të shumta për këtë praktikë të sigurimit të librave për nxënësit e shkollave fillore.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin e MASHTI-t që blerja e teksteve shkollore nga ana e prindërve.
Nagavci ka thënë se e gjithë kjo po bëhet për interesin e nxënësve por edhe të mësimdhënësve.
“Unë nuk e kuptoj interesat e kujt i përfaqëson zoti Jasharaj. Është angazhim i yni për të përmirësuar cilësinë”.
Ajo ka thënë se mësimdhënësit e kanë pasur shumë të vështirë menaxhimin e teksteve siç ka ndodhur deri më tani.
“Për SBASHK-un ky vendim i yni duhet të jetë i mirëpritur”.
Nagavci ka hedhur dyshime edhe në lidhje me manipulimin e komunave me nxënësit.
“Jo rrallëherë të dhënat që janë sjellë nga komunat nuk kanë qenë të sakta. Ne sot kemi të dhëna nga komunat për numrin e nxënësve. Do të shohim se ky vendim do të qes në dritë shumë gjëra. Unë gëzohem për këtë”, ka deklaruar Nagavci./Telegrafi/