Maurizio Sarri është duke planifikuar t’i bëjë dy ndryshime në formacionin bazë në ndeshjen finale të Kupës së Italisë ndaj Napolit duke e lënë jashtë Miralem Pjanicin.
Të mërkurën (17 qershor), me fillim nga ora 19:00 zhvillohet finalja e Coppa Italia, mes Bianconerëve dhe Partenopei, të cilët eliminuan Milanin, respektivisht Interin.
Gonzalo Higuain, Giorgio Chiellini, Aaron Ramsey e Merih Demiral, munguan në barazimin pa gola ndaj Rossonerëve dhe nuk pritet të jenë të gatshëm as për finale.
Ndërsa, sipas Tuttomercatoweb, Sarri planifikon t’i bëjë edhe dy ndryshime të tjera në njëmbëdhjetëshin startues.
Pjanic nuk ishte në formë të mirë në mesfushë, prandaj në vend të tij mund të inkuadrohet Sami Khedira, ndërsa rolin e mesfushorit kreativ do ta luajë Rodrigo Bentancur.
Douglas Costa pritet të jetë ndryshimi tjetër, pasi braziliani kishte startuar me Cristiano Ronaldon dhe Paulo Dybalan në sulm. Mirëpo, në vend të tij pritet të luajë Juan Cuadrado, kështu që CR7 do të jetë qendërsulmues. /Telegrafi/