Vedat Muriqi vazhdon të mos ketë hapësirat e mjaftueshme te Lazio këtë edicion.
Që nga rikthimi prej ndeshjeve të Kombëtareve, Muriqi nuk është aktivizuar në asnjë minutë te Lazio, në katër sfidat e fundit.
Duke parë situatën e tij, sulmuesi prizrenas po mendon largimin dhe të rikthehet qysh në janar në futbollin turk.
Ish-skuadra e Muriqit, Fenerbahce ka shprehur interesim për ta rikthyer sulmuesin përsëri në Stamboll.
E për largimin e mundshëm të reprezentuesit kosovar nga Lazio, ka folur edhe trajneri italian Maurizio Sarri.
Tekniku italian ka thënë se Muriqi po stërvitet mirë, derisa sa i përket pistës së Fenerbahces, ka deklaruar se nuk di se çfarë të thotë.
“Për Fenerbahcen nuk di çfarë të them, ai po stërvitet mirë, ka dalë i zhgënjyer nga fusha e lojës në ndeshjen me Bolognën, ashtu si të gjithë për shkak të rendimentit individual dhe të skuadrës”.
“Muriqi po stërvitet mirë, mund t’i japë mundësinë Immobiles të rikuperojë. Por për afatin kalimtar nuk di në të vërtetë çfarë të them”, deklaroi Sarri në konferencën për shtyp.
Mediat turke kanë raportuar ditën e djeshme se Fenerbahce ka bërë një ofertë në drejtim të Lazios për rikthimin e Muriqit, por që detajet financiare nuk janë publikuar. /Telegrafi/