Telegrafi

Sapo filloi pushtimi rus, bleu biletën njëdrejtimëshe për Ukrainë – mjekja nga Utah ndihmon luftëtarët ukrainas dhe të huaj të mbesin gjallë

Rrugëve me gropa dhe plotë baltë, një ekip i CNN-it është shoqëruar nga policia lokale ukrainase drejt njësisë së luftëtarëve të huaj, që luftojnë përkrah ushtarëve ukrainas kundër agresionit rus.

Ata u nisën drejt një baze që është e stacionuar në një fshat, që si çdo fshat tjetër tani ka pamjen e njëjtë në Ukrainë – shtëpi të shkatërruara nga sulmet e vazhdueshme ruse, transmeton Telegrafi.

Madje rrugës për atje, ekipi i CNN-it vazhdimisht dëgjonte zhurmën e predhave që fluturonin mbi kokat e tyre e ata detyroheshin të dalin nga mjeti dhe të futen në pyje për t’u strehuar.

Ajo çfarë ua tërhoqi më së shumti vëmendjen, ishte që në radion e policisë ukrainase dëgjohej dikush duke folur që kishte theksin e një amerikani. Të habitur që panë në atë zonë një ekip të gazetarëve, ushtarët ukrainas filluan t’i përshëndesin me dorë nga distanca dhe nga eprorët kërkuan që ata të takohen me një luftëtare amerikane që njëherit ishte mjeke në këtë njësi (ku kryesisht shërbenin të huajt) që njihej si “Baby Dog”.

Ajo qëndronte në diell, e veshur me uniformë ushtarake të Ukrainës, dhe me vete kishte të gjitha pajisjet e nevojshme për të intervenuar tek ndonjë i plagosur. Kishte me vete edhe revole dhe shiritin e verdhë që nënkuptonte një lloj besnikërie ndaj Ukrainës.

Kishte të mbuluar fytyrën me maskë dhe nuk hezitoi të flet para kamerës së ekipit të CNN-it. Vetëm sytë i shiheshin përmes syzeve që i barte.

“Nuk është se bëja ndonjë gjë të madhe në shtëpi. Kryeja dy punë të ndryshme – dhe disi më dukej e mërzitshme”, tha Baby Dog për CNN.

Mjekja amerikane kishte blerë biletën njëdrejtimëshe për në Ukrainë me të vetmin qëllim – që t’ju bashkohet luftëtarëve tjerë për ta mbrojtur këtë shtet evropian që është sulmuar nga forcat ruse.

Derisa kryente dy punë, mjekja amerikane po bënte një jetë të qetë në Utah të SHBA-ve, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. Kur pa situatën në këtë shtet në lajme, mendoi se duhet të bëjë diçka.

Bleu biletën njëdrejtimëshe për në Ukrainë, dhe u nis për atje që të ndihmojë ukrainasit që të mbrohen nga forcat ruse.

“Është diçka humane. Nuk mund të qëndrosh ulur dhe vetëm të vështrosh. Është njëjtë sikur kur qëndroni ulur dhe shikoni dikë duke shqelmuar qenin pa ndonjë arsye”, tha mjekja për CNN derisa po qëndronte në një fshat të Kharkivit në verilindje të Ukrainës.

CNN nuk ka zbuluar identitetin e saj apo lokacionin e saktë të njësisë ku ajo shërben, për arsye të sigurisë dhe të luftëtarëve tjerë të huaj që janë të stacionuar atje.

Ajo është regjistruar në Legjionin e Luftëtarëve të Huaj në Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës, program ky i iniciuar nga qeveria e këtij vendi në fund të shkurtit ku rekrutoheshin luftëtarët e huaj, dhe prej atij momenti është bërë ushtare.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, pati thënë një javë pas formimit të kësaj njësie, se janë regjistruar 20 mijë njerëz nga 52 vende që janë vullnetarë duke luftuar në Ukrainë.

Duke punuar si mjeke në njësinë që përbëhet kryesisht nga amerikanë dhe luftëtarë gjermanë, Baby Dog e ka përshkruar jetën e saj të re si me aventurat e filmave të James Bondit.

Në franshizën e James Bondit ka dhunë dhe vdekje, dhe një përvojë të tillë e ndjeu në javët e para kur u shfaq në vijën e frontit.

“Kisha me vete çantën e madhe me ilaçe dhe pajisje të ndryshme. Të gjithë kishin pajisjet e tyre me vete. Po binte shi i madh, ishte e tmerrshme. Po ngjiteshim në një kodër që vazhdimisht bombardohej nga rusët”, tha mjekja amerikane.

Fuqia e shpërthimit i hodhi ata në pemë, Baby Dog mezi arrinte të merrte frymë. Kur pa njërin nga ushtarët e shtrirë – u ngrit shpejtë për t’i dalë në ndihmë kur bomba e dytë ra pranë tyre.

Rusët përdorin taktikën e goditjes së dyfishtë në të njëjtin vend, por me intervale të ndryshme kohore – duke krijuar një lloj kaosi tek ata që gjenden në atë zonë.

Sipas Baby Dog ata hidhnin bomba gjigante që pasi lansohen në ajër shpërthejnë dhe shpërndajnë bomba të vogla që shpërthejnë në mënyrë sporadike.

Megjithatë ajo shpreson që një ditë gjithçka do të marrë fund dhe të rikthehet në Shtetet e Bashkuara, që sipas saj lufta atje është parë vetëm nëpër filma apo lajme. /Telegrafi/