Konkurrentja e Big Brother VIP Kosova, Santiana Maloku, ka ndarë një moment të jashtëzakonshëm personal me shikuesit, duke treguar përballjen e saj me një nga sfidat më të mëdha të jetës – kancerin e gjirit. Në moshën e re, vetëm 18 vjeçe, ajo u përball me lajmin që askush nuk dëshiron të dëgjojë: ishte diagnostikuar me kancer.
Santiana ka zbuluar se fillimisht dyshimet për shëndetin e saj filluan pasi kishte vërejtur ndryshime në trupin e saj.
“Gjithçka filloi me një prekje të thjeshtë që më dha sinjalin e parë se diçka me gjoksin tim nuk ishte si duhet”, shpjegon ajo. Pasi vërejti ndryshimet, ajo iu nënshtrua një sërë procedurave mjekësore, të cilat në fund të fundit zbuluan se kanceri ishte në fazat e tij fillestare.
“Lajmi i mirë ishte se diagnostikimi erdhi në një kohë kur kanceri sapo po fillonte të zhvillohej”, tha Santiana, duke theksuar rëndësinë e kapjes së hershme të sëmundjes. Ky zbulim i hershëm i lejoi asaj të merrej me sëmundjen në mënyrë efektive dhe të parandalojë pasojat shëndetësore më të rënda.
Në pjesën e saj rrëqethëse të rrëfimit, Santiana zbuloi se kishte një predispozitë familjare për kancerin e gjirit, një barrë e trashëguar nga nëna e saj.
Duke ndarë këtë pjesë kaq personale të jetës së saj, ajo sjell në vëmendje çështjen e rëndësishme të kontrollit të shëndetit dhe vetëdijesimit për sëmundjet që mund të jenë gjenetikisht të transmetueshme.
Rrëfimi i Santianas në Big Brother VIP Kosova ka ngjallur ndjenja të forta tek publiku dhe ka ngritur vetëdijen për sfidat që njerëzit përballen me sëmundje serioze si kanceri i gjirit, veçanërisht në moshë të re. /Telegrafi/