Senatori demokrat i Vermontit, Bernie Sanders shkroi për “New York Times” një artikull në lidhje me sulmet e fundit të Izraelit të titulluar “Amerika duhet të mbështesë një qasje neutrale në Lindjen e Mesme”.
Në çdo konflikt midis Izraelit dhe Palestinës prej shumë vitesh përdoret e njëjta retorikë “e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje”.
Por pse nuk shtrohet kurrë pyetja se cila është e drejta e popullit palestinez? Dhe pse duket sikur ne mësojmë për dhunën në Izrael dhe Palestinë vetëm kur raketat godasin Izraelin? pyet senatori demokrat, transmeton Telegrafi.
Sanders pretendon se raketat e lëshuara nga Hamasi janë të papranueshme, por nënvizon se konfliktet e sotme nuk filluan me ato raketa.
“Qeveria e Netanyahut në Izrael ndjek politika të paligjshme popullimi për të parandaluar gjasat e një zgjidhjeje me dy shtete që margjinalizon palestinezët. Izraeli në vend që të kërkojë paqe dhe drejtësi konsolidon kontrollin e tij të pabarabartë dhe jodemokratik në ato territore”, tha ai.
Senatori i Vermontit vuri në dukje se presidenti i ri amerikan, Joe Biden e ka shansin që t’i ekspozojë botës një qasje të bazuar në demokraci dhe drejtësi.
“Ne duhet ta ndryshojmë kursin tonë dhe të adoptojmë një qasje neutrale që mbështet dhe forcon ligjshmërinë ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e civilëve”, shtoi ai.
Sanders specifikoi që SHBA i jep Izraelit çdo vit një ndihmë rreth katër miliardë dollarë. Ai shtoi se SHBA-ja duhet të ndalë mbështetjen e qeverisë Netanyahu dhe sjelljet e saj antidemokratike dhe raciste. /Telegrafi/