Të hënën në Shkup të Maqedonisë Veriore është mbajtur Samiti midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, gjersa pas deklaratave për media të udhëheqësve të shteteve ka pasur një deklaratë të përbashkët që synon të përshpejtojë rrugën e rajonit drejt integrimit evropian.
Të pranishëm në këtë samit ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajic, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian Gert Jan Kopman, si dhe James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike.
Nikoqir i takimit ishte kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Deklarata 11 pikëshe e Samitit të BE-së në Shkup, ku ishte pjesë edhe Kosova
Pas samitit liderët e Ballkanit Perëndimor kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.
Kjo deklaratë ka në përmbajtjen e saj 11 pika kyçe dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe avancimit të proceseve integruese.
Deklarata e përbashkët reflekton një qëndrim të përbashkët në njohjen e sfidave të tanishme që rajoni dhe mbarë kontinenti po përballen, duke përfshirë pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Më tej thuhet se liderët e Ballkanit dhe BE-së shfaqen të bashkuar në përkushtimin për të forcuar katër lirive të lëvizjes, dhe për të gjetur mekanizma të rinj për të avancuar në procesin e anëtarësimit të rajonit në BE.
Deklarata e samitit jo vetëm “që dëshmon një solidaritet të pakufizuar ndaj sfidave që ballafaqojnë rajonin, por edhe përcakton hapa konkretë dhe përgjegjësi të ndërvendosura, duke përfshirë angazhimin për reforma themelore dhe një shtytje të re financiare përmes Reformës dhe Lehtësia e Rritjes”.
Ky dokument strategjik është një testament i synimeve të vendosura për të hapur një epokë të re të bashkëpunimit, prosperitetit dhe stabilitetit në Ballkan.
Dokumentin e plotë mund ta lexoni këtu.
Kurti: Nuk mund t’i heqim masat e sigurisë ndaj Serbisë përderisa Radoiçiq është i lirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili mori pjesë në samitin e Bashkimit Evropian, që është mbajtur në Shkup, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kurti para mediave foli edhe një herë për sulmin në Banjskë ku u vra rreshteri Afrimi Bunjaku, derisa tha se ndaj Serbisë kanë vetë masa sigurie, transmeton Telegrafi.
“Armatimi është prodhuar në Serbi dhe ka ardhur nga Serbia, grupi paramilitar janë të lirë me krye me Milan Radoiçiq. Pra, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë por vetëm masa sigurie. Nuk mund t’i heqim masat e sigurisë, derisa e kemi grupin paramilitar të lirë dhe ku po organizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, u shpreh ai.
Më tej, Kurti foli për planin për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa tha se ky plan do të sjellë mbështetje financiare për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Telegrafi.
“Ne kemi planin e rritjes i cili do të sjelle mbështetje financiare 6 miliardë euro për 6 vende të Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Mbështetja financiare varet nga puna dhe performanca veç e veç, pra, nëse shtetet në procesin e Berlinit arrijnë diçka pozitive atëherë ajo bartet te plani i rritjes, por nëse pengojnë njëra –tjetrën nuk ka atëherë efekt plani i rritjes”, deklaroi ndër të tjera, Kurti para mediave.
Sipas tij, anëtarësimi në BE është synim i Kosovës dhe i qytetarëve, ku përqindja është rreth 94%.
“Rajoni i Ballkanit duhet të integrohet, por nevojitet paqe dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë”, tha mes tjerash ai.
Kurti po ashtu ka falënderuar BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim të rëndësishëm, që sipas tij do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së.
O’Brien mesazh për Kurtin dhe Vuçiqin: Të dyja shtetet të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
I pranishëm në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian ishte edhe Ndihmës Sekretari Shtetëror për Evropë dhe Euroazi James O’Brien, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen e arritur në Ohër, vitin e kaluar.
Para mediave, O’Brien theksoi se mbështesin fuqishëm marrëveshjen e arritur në Ohër, transmeton Telegrafi.
“Ne fuqishëm mbështesim marrëveshjen e arritur në Ohër marsin e kaluar, dhe besojmë se të dyja shtetet duhet të angazhohen nëpërmjet dialogut të zbatojnë marrëveshjen plotësisht”, ka thënë O’Brien.
Ai po ashtu ka thënë se Plani i rritjes i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët, pasi sipas tij, do të ketë një format më ndryshe.
Ai theksoi se do të krijojnë mundësi që qytetarët e këtij rajoni të bëhen pjesë e unionit së shpejti. /Telegrafi/