Telegrafi

Samiti historik i Tiranës dhe përpjekjet e BE-së për të mbajtur gjallë procesin e integrimit mes frikës së ndikimit rus

LSA

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë e ktheu vëmendjen e gjithë Evropës drejt kryeqytetit shqiptar për një ditë. 

I përshkruar nga mediat ndërkombëtare si një samit shumë i rëndësishëm në planin gjeopolitik, organizimi i tij shpalosi përpjekjet e liderëve të BE-së për të mbajtur gjallë procesin e integrimit mes frikës së ndikim rus në rajon.

Në një samit të mëparshëm në qershor, liderët ballkanikë kritikuan publikisht dhe ashpër BE-në për mungesën e përparimit në bisedimet e pranimit mes zhgënjimit se negociatat nuk kanë filluar ose janë ngecur, vite pasi atyre iu premtua anëtarësimi eventual në BE.

Ndërsa ngurrimi për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së ende qëndron midis 27 vendeve anëtare, pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë ata të kushtojnë më shumë energji për të përmirësuar marrëdhëniet me gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Frika nga përhapja e ndikimit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu një faktor kyç.

Në fund të samitit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, liderët e BE-së rikonfirmuan “angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”.

“Ne patëm zhgënjimet tona … por kurrë nuk hoqëm dorë nga ky besim në BE”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama, mikpritësi i samitit, i cili në qershor kishte thënë se ngadalësia në procesin e pranimit në BE për rajonin ishte një “turp”.

“Përparimi i bërë vitet e fundit, pa dyshim edhe për shkak të luftës (në Ukrainë) si përshpejtues, është i jashtëzakonshëm”, tha Rama duke folur në anglisht.

Ndërkohë, kujtojmë se BE ka hartuar një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me një afat kohor të qartë veprimesh.

Një lajmë i rëndësishëm nga samiti erdhi nga presidentja e Kosovës.

“Kosova do të dorëzojë aplikimin e saj për anëtarësim në BE në fund të këtij viti”, tha presidentja e saj, Vjosa Osmani, duke shtuar se shpreson se samiti i BE-së i javës së ardhshme do të miratojë liberalizimin e vizave për vendin e saj.

Në lëvizjet drejt integrimit, një lajm i mirë nga samiti ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes për uljen e tarifave të roaming-ut midis vendeve të BE-së dhe Ballkanin Perëndimor duke filluar nga tetori 2023.

Në mbyllje të samitit, Brukseli premtoi 1 miliard euro grante për përballimin e krizës së energjisë dhe ndërtimin e infrastrukturës në të ardhmen.

Samiti i Tiranës ishte i pari i organizuar në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe si i tillë është përshkruar me entuziazëm nga liderët e BE-së si një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin. /Telegrafi/