Një raportim në mediat spanjolle ka bërë me dije se Juventusi po monitoron sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah, i cili mund të bëhet lojtar i lirë verën e ardhshme.
32-vjeçari konsiderohet si njëri prej yjeve më të mëdhenj në botën e ffutbollit, ndërsa kujtojmë se fillimisht kishte nisur shkëlqimin në Evropë tek Baseli, por nuk arriti të adaptohej tek Chelsea.
Pasi kaloi dy vite e gjysmë në futbollin italian tek Fiorentina dhe Roma, egjiptiani arriti që të siguronte një kontratë të madhe tek Liverpooli në 2017, duke u shndërruar menjëherë në njërin prej lojtarëve të tyre kryesor.
Sidoqoftë, kontrata e Salahut me ‘Të Kuqtë’ do të skadojë në fund të sezonit dhe dy palët nuk kanë arritur të gjejnë ende një kompromis në bisedimet për rinovim, duke e lënë të ardhmen e lojtarit në ajër.
Si do që të jetë, reprezentuesi egjiptian nuk do të vuajë nga mungesa e ofertave në rast se largohet përfundimisht nga Liverpooli.
Sipas El Nacional (via JuventusNews24), një numër ekipesh do të interesoheshin për sulmuesin, duke përfshirë edhe Paris Saint-Germain dhe Juventus.
Siç shpjegojnë burimet, ‘Bianconerët’ duan të shtojnë eksperiencë në radhët e tyre pasi transferuan disa lojtarë të rinj në moshë gjatë kësaj vere.
Drejtori sportiv Cristiano Giuntoli e konsideron Salah si profilin e duhur për të udhëhequr një ekip të Juventusit të ri në moshë dhe të luajë në nivelet më të larta edhe për disa vite.
Salah po shijon një start fantastik të këtij sezoni në Ligën Premier, pasi ka kontribuar me tri gola dhe tri asistime në po aq ndeshje të luajtura në elitën e futbollit anglez./Telegrafi/