Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger i ka përshkruar si ‘monstruoze’ paraqitjet e Mohamed Salah dhe Sadio Mane, pasi ata ndihmuan Liverpoolin të arrinte në finalen e Ligës së Kampionëve të martën mbrëma pas fitores ndaj Villarrealit.
Dy lojtarët afrikanë ishin në aksion në Estadio de la Ceramica ndërsa Reds arritën nga dy gola disavantazh të mposhtin “Nëndetësen e Verdhë” 3-2 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale dhe arritën në finale me rezultatin e përgjithshëm 5-2.
Wenger ka zgjedhur dy lojtarët, Salah dhe Mane, për t’i lavdëruar pasi ata ndihmuan Liverpoolin të arrinte një tjetër finale këtë sezon.
Liverpooli tashmë arriti në finalen e Carabao Cup ku mundi Chelsean me penallti dhe është në finalen e FA Cup, ku do të përballet me Chelsean më 14 maj në Wembley.
“Shikoni Salah dhe Mane, të cilët luajtën finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës. Ajo që kanë bërë që kur janë kthyer, është monstruoze”, ka thënë fillimisht 72-vjeçari për beIN Sports.
“Ne do të ishim ankuar në Evropë se kemi luajtur shumë ndeshje – ata as një fjalë. Sonte Mane është goditur gjithandej me shkelma, asnjë fjalë”, përfundoi Wenger.
Goli i Mane kundër Villarrealit e bëri atë të thyente rekordin e Didier Drogba për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Afrikës në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
30-vjeçari tani ka shënuar 15 gola në këtë garë, një më shumë se legjenda e Chelseat, ndërsa Salah është i treti në listë me 11 gola, dhe ish-kapiteni i Kamerunit, Samuel Eto’o është i katërti me 10 gola. /Telegrafi/