Kombëtarja e Anglisë u kualifikua në gjysmëfinale të Euro 2024 pasi ishin më të saktë se Zvicra gjatë ekzekutimit të penalltive duke fituar me rezultat të përgjithshëm 5-3.
Golin e vetëm për Anglinë gjatë kohës së rregullt e realizoi Bukayo Saka i cili nga distanca shënoi për t’i dhënë epërsinë ‘Tre Luanëve’.
Ylli i Arsenalit ishte i saktë edhe nga pika e bardhë e penalltisë, andaj për këtë arsye ai u shpall në fund ‘Lojtari i Ndeshjes’.
Përkundër entuziazmit të krijuar pas kualifikimit në gjysmëfinale, Saka u ndal për të folur për ish-bashkëlojtarin e tij Granit Xhaka, aty ku nuk u kursye nga fjalët e mëdha për të.
Saka tha se ka respekt të madh dhe admirim për Xhakën duke vlerësuar lart karakterin e tij.
“Graniti ka fituar mjaftueshëm trofe këtë sezon. Unë mendoj se ai është një lojtar i mrekullueshëm, një person i mrekullueshëm. Përulësia që ai shfaqi pas ndeshjes kur erdhi dhe shtrëngoi duart tona i tregon të gjitha”.
“Unë kam shumë respekt dhe admirim për të dhe për Zvicrën, ata me të vërtetë i vështirësuan jetët tona sonte”, ka thënë Saka./Telegrafi/