Po bëhen disa ditë që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër është bërë tema kryesore me deklarata nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.
Edhe pse nga Qeveria e Kosovës janë të vendosur që të hapet Ura e Ibrit, nga ana tjetër Bashkimi Evropian dhe KFOR-i deklaruan se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi.
E, zëvendës- kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Skender Sadiku në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth hapjes së Urës së Ibrit.
Sadiku tha se qysh në prillin e 2023-tës kanë dhënë mesazh për hirë të normalizimit të hapet ura edhe për qarkullim të automjeteve.
“Duhet të jemi këtu korrekt. Kjo urë për momentin shfrytëzohet nga të gjithë, nga këmbësorët, trotinetet, nënat me karrocë dhe ne kemi kërkuar që si shenjë e vullnetit mirë, po edhe afrimit të normalizimit, që të hapet ura. Kemi arritur në atë fazë që të mbrojmë një të drejtë universale.
Këtu mendoj të drejtën e lëvizjes të cilën drejt duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim etnie. Mirëpo, ne duhet t’i bindim edhe komunitetin shumicë serbë që jetojnë në komunë tonë veriore, po edhe miqtë ndërkombëtarë, që të na ndihmojnë edhe këtë hapje të urës ta bëjmë në mënyrë dinjitetshme dhe që ta sjellim normalizimin i cili është jetik për banorët e Komunës së Veriut të Mitrovicës”, ka thënë Sadiku.
Ai gjithashtu foli edhe për stabilitetin infrastrukturor të Urës së Ibrit, për të cilin tha: “Jam edhe inxhinier i komunikacionit… kam taku këtu përgjegjësit që kanë bërë matje. Definitivisht kjo është urë ultra-moderne. Kjo urë që po e shihni është e punuar dhe është një mrekulli arkitektonike. Është e punuar nga inxhinierët më eminentë të Bashkësisë Evropiane, pikërisht të njohur të francezëve dhe është urë e projektuar nga francezët, të cilët janë projektues të fortë të urave. Kjo urë definitivisht është shumë stabile dhe është projekt i Unionit Evropian”, ka thënë Sadiku. /Telegrafi/