Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë, Berat Sadiku, ka thënë se vonesat në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë kanë penguar shumë zhvillimin e bizneseve në Vushtrri dhe kanë shkaktuar telashe edhe në planifikimet e komunës për vitet e ardhshme.
Sadiku në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se rruga Prishtinë-Mitrovicë ka filluar së ndërtuari në vitin 2009 dhe sipas tij dhjetë vite janë shumë për qytetarët për të kaluar në këto rrugë.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë ka thënë se problem mbetet shpronësimi i parcelave në fshatin Maxhunaj.
“Në momentin kur dorëzohet projekti kryesor, çështja e shpronësimeve duhet të jetë e përfunduar. Fatkeqësisht në këto segmente nuk janë të përfunduara çështjet e shpronësimeve”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sadiku thotë se në brendësi të qytetit të Vushtrrisë ka parcela që nuk janë shpronësuar plotësisht pasi që pronarit nuk i është bërë pagesa. Ai thotë se i gjithë ky problem ka mbetur vetëm për 60 metra katrorë kompensim.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë thotë se për shkak të këtyre vonesave në rrugë, qytetarët po kërkojnë llogari nga Komuna dhe sipas tij janë paralajmëruar edhe protesta nëse nuk bëhet zgjidhje e problemit nga Ministria e Infrastrukturës.
Sadiku thotë se deri në përfundimin e segmenteve që përfshijnë Vushtrrinë, janë duke u ndërtuar rrugë alternative por sipas tij edhe gjatë ndërtimit të këtyre rrugëve po shfaqen probleme./Telegrafi/