Armët nga një paketë e re ndihme amerikane për Ukrainën kanë filluar të mbërrijnë në vijën e parë të frontit.
Kjo pasi që pas një viti ngërçi politik në SHBA, presidenti Joe Biden miratoi mbështetje ushtarake me vlerë pothuajse 61 miliardë dollarë në prill, përcjell Telegrafi.
Dhe të paktën 8 miliardë dollarë do të përdoren për të ri-furnizuar Ukrainën me raketa dhe municion.
Ndërkohë në shkurt të 2024, BE ra dakord për një paketë të mëtejshme ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, pasi Hungaria ndaloi bllokimin e marrëveshjes.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se për sa i përket sasisë së ndihmës tashmë të ofruar, midis shkurtit 2022 dhe shkurtit 2024, SHBA dërgoi ose angazhoi armë dhe pajisje me vlerë 46.2 miliardë dollarë në Ukrainë, sipas Institutit Kiel, një organizatë kërkimore gjermane.
Veç kësaj, Gjermania i dha Ukrainës armë dhe pajisje me vlerë 10.7 miliardë dollarë, Mbretëria e Bashkuar 5.7 miliardë dollarë, Danimarka 5.2 miliardë dollarë dhe Holanda 4.1 miliardë dollarë. /Telegrafi/