Site icon Telegrafi

Sa i kanë realizuar kryetarët e komunave premtimet e tyre? GAP publikon raportin

Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” të dhënat më të fundit lidhur me realizimin e premtimeve nga kryetarët e komunave të dhëna gjatë fushatës zgjedhore 2017. Periudha e monitorimit përfshin gjashtëmujorin e parë të 2020.

Në pjesën më të madhe të periudhës së gjashtëmujorit të parë të 2020 thuhet se komunat janë përballur me gjendje të rënduar si pasojë e pandemisë COVID-19.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nga 81 premtimet që ka dhënë në zgjedhjet lokale të 2017 ka realizuar 24 premtime, ndërsa tetë janë gjysmë të përfunduara, 25 të filluara dhe 24 premtime nuk kanë filluar.

Sa i përket Komunës së Vushtrrisë, kryetari Xhafer Tahiri nga 28 premtime që ka dhënë në zgjedhjet lokale, 16 premtime i ka realizuar, ndërsa tri janë gjysmë të përfunduara, shtatë premtime janë të filluara dhe dy nuk kanë filluar.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri nga 12 premtime, ka realizuar pesë prej tyre, ndërsa një premtim është gjysmë i përmbushur, katër të filluara dhe dy ende nuk kanë filluar.

Edhe kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi nga 22 premtimet e dhëna në zgjedhjet lokale ka realizuar vetëm shtatë, ndërsa pesë premtime janë gjysmë të realizuara, dy kanë filluar dhe tetë ende nuk kanë filluar të realizohen.

Komuna e Fushë Kosovës nga 42 premtimet e dhëna nga kryetari Burim Berisha, 13 janë përfunduar, nëntë gjysmë të përfunduara, tetë të filluara dhe 12 ende nuk kanë filluar.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati nga 35 premtimet e dhëna në zgjedhjet lokale 16 i ka përfunduar, gjashtë gjysmë të përfunduara, dhjetë premtime kanë filluar dhe tre nuk kanë filluar.

Më poshtë i gjeni linçet e publikuara nga Instituti GAP:

Exit mobile version