Telegrafi

Rusia thotë se “do të ndryshojë doktrinën bërthamore për shkak të rolit të Perëndimit në Ukrainë”

Rusia do të bëjë ndryshime në doktrinën e saj mbi përdorimin e armëve bërthamore në përgjigje të asaj që ajo e konsideron si përshkallëzim perëndimor në luftën në Ukrainë, citoi media shtetërore të ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, doktrina ekzistuese bërthamore, e përcaktuar në një dekret nga presidenti Vladimir Putin në vitin 2020, thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga një armik ose një sulmi konvencional që kërcënon ekzistencën e shtetit.

Por disa në mesin e analistëve ushtarakë të Rusisë i kanë kërkuar Putinit të ulë pragun për përdorim bërthamor në mënyrë që të “kthjellë” armiqtë e Rusisë në Perëndim.

Putin tha në qershor se doktrina bërthamore ishte një “instrument” që mund të ndryshonte, në varësi të ngjarjeve botërore.

Dhe komentet e Ryabkov të dielën ishin deklarata më e qartë se ndryshimet do të bëheshin vërtet.

“Puna është në një fazë të avancuar dhe ka një qëllim të qartë për të bërë korrigjime”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS të ketë thënë Ryabkov.

Ai tha se vendimi është “i lidhur me kursin e përshkallëzimit të kundërshtarëve tanë perëndimorë” në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Moska akuzon Perëndimin se përdor Ukrainën si një përfaqësues për të zhvilluar luftë kundër saj, me qëllimin për t’i shkaktuar një “disfatë strategjike” Rusisë dhe për ta copëtuar atë.

Por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e mohojnë këtë, duke thënë se po ndihmojnë Ukrainën të mbrohet kundër një lufte agresioni të stilit kolonial nga Rusia.

Mediat kujtojnë se Putin tha në ditën e parë të pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 se kushdo që do të përpiqet ta pengojë ose kërcënojë atë, do të vuajë “pasojat që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”.

Që atëherë, ai ka lëshuar një sërë deklaratash të tjera që Perëndimi i konsideron si kërcënim bërthamor dhe ka njoftuar vendosjen e armëve taktike bërthamore ruse në Bjellorusi.

Kjo nuk i ka penguar SHBA-të dhe aleatët e saj nga rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën në mënyra që ishin të paimagjinueshme kur filloi lufta, duke përfshirë furnizimin me tanke, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe aeroplanë luftarakë F-16.

Ukraina tronditi Moskën muajin e kaluar duke “shpuar” kufirin e saj perëndimor në një inkursion nga mijëra trupa që Rusia ende po lufton për ta zmbrapsur.

Presidenti Volodymyr Zelensky po lobon fort që SHBA-ja ta lejojë atë të përdorë armë të avancuara perëndimore për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.

E zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha në një intervistë të publikuar të dielën se Perëndimi “po shkonte shumë larg” dhe se Rusia do të bënte gjithçka për të mbrojtur interesat e saj. /Telegrafi/