Telegrafi

Rusia thotë se nuk do të marrë më pjesë në Këshillin e Evropës

Rusia thotë se nuk do të marrë më pjesë në Këshillin e Evropës, organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Në një deklaratë, MPJ ruse thekson se shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ishin “jomiqësore ndaj Rusisë”.

Ministria ruse pretendon se këto shtete “vazhdojnë politikën e tyre të shkatërrimit të Këshillit të Evropës dhe hapësirës së përbashkët humanitare dhe ligjore në Evropë”.

“Rusia nuk ka ndërmend të tolerojë këto veprime minuese të kryera nga Perëndimi kolektiv në mënyrë që të imponojë një ‘rend të bazuar në rregulla’ për të zëvendësuar legjislacionin ndërkombëtar të shkelur nga SHBA dhe satelitët e saj”, vazhdoi deklarata.

Një ditë më parë, përfaqësuesit e Këshillit të Evropës thanë se ata “dënojnë agresionin e paprecedent të Federatës Ruse kundër Ukrainës, një sulm të pajustifikuar ushtarak të një shteti anëtar të Këshillit të Evropës kundër një shteti tjetër anëtar. Ne përsërisim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Këshilli i Evropës është organi më i vjetër politik i Evropës dhe synon të mbrojë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin. Ajo ka 47 shtete anëtare, duke përfshirë Rusinë. Është formuar në vitin 1949 pas Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/