Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal që ka pushtuar që nga fillimi i pushtimit në shkurt.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, tha se nuk ishte më e mundur të vazhdohej furnizimi i qytetit.
Tërheqja do të thotë se forcat ruse do të tërhiqen tërësisht nga bregu perëndimor i lumit Dnipro.
Siç vlerëson BBC, kjo është një goditje e rëndësishme pasi Rusia përballet me një kundërofensivë të Ukrainës.
“Në këto rrethana, opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë një linje barriere përgjatë lumit Dnipro”, citohet të ketë thënë gjenerali Surovikin në një takim të udhëheqësve të lartë ushtarakë.
Here's Shoigu giving the order to pullout: "The lives and health of our troops always takes priority. Take into account the threat to the civilian population and respect the wishes of those who wish to leave. And secure the transfer of military equipment across the Dnipro" pic.twitter.com/InuLjbk97s
— Luke Harding (@lukeharding1968) November 9, 2022
Njoftimi erdhi menjëherë pasi mediat ruse thanë se nënkryetari i Khersonit, Kirill Stremousov, ishte vrarë në një aksident automobilistik.
I parë si një nga nxitësit kryesorë të okupimit të Khersonit, ai kishte paralajmëruar vetëm gjashtë ditë më parë se kishte “më shumë gjasa” që forcat ruse të kalonin në bregun lindor.
Edhe pse përparimi ukrainas ishte ngadalësuar javët e fundit, linjat e furnizimit të Rusisë nëpër Dnipro ishin bërë gjithnjë e më të vështira pasi disa ura përtej lumit Dnipro u shkatërruan nga raketat ukrainase.
Përpara tërheqjes, Rusia zhvendosi mijëra civilë jashtë qytetit me anije, në atë që Ukraina e dënoi si një dëbim të detyruar. /Telegrafi/