Ukraina pret që Rusia të rifillojë sulmet ndaj sistemit të saj energjetik gjatë këtij viti, ka thënë Volodymyr Zelensky.
Gati 40 për qind e rrjetit energjetik të vendit u dëmtua nga sulmet me raketa dhe drone ruse gjatë dimrit të kaluar, gjë që shkaktoi errësirë në disa qytete dhe mos furnizim me ngrohje të shtëpive.
Presidenti ukrainas u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur rrjetin elektrik dhe paralajmëroi zyrtarët se “duhet të jenë gati” për sulmet e reja ruse, raporton skynews.
“Është e qartë se këtë vjeshtë dhe…në dimër armiku do të përpiqet të përsërisë terrorin kundër industrisë së energjisë ukrainase”, tha ai para zyrtarëve të lartë të qeverisë, sigurisë dhe rajonal.
“Ne duhet të jemi gati për këtë në çdo rast. Në nivel qeveritar dhe sigurie, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur”, deklaroi lideri ukrainas.
Kievi thotë se Rusia e përdor këtë strategji për të dëmtuar civilët – gjë që do të përbënte një krim lufte.
Por, Moska ka thënë se ka nisur sulmet për të zvogëluar aftësinë e ukrainasve për të luftuar. /Telegrafi/