Site icon Telegrafi

Rusia shpall emergjencë “në nivel federal” ndërsa trupat ukrainase vazhdojnë sulmet ndërkufitare

Ministria e Emergjencave e Rusisë ka shpallur një emergjencë “në nivel federal” katër ditë pasi qindra trupa ukrainase sulmuan mbi kufi në atë që dukej të ishte sulmi më i madh i Kievit në tokën ruse që nga fillimi i luftës.

Pak informacione të besueshme në lidhje me operacionin e papritur ukrainas janë shfaqur dhe synimet e tij strategjike mbeten të paqarta.

Gjithashtu, zyrtarët ukrainas kanë refuzuar të komentojnë konkretisht mbi inkursionin i cili po zhvillohet rreth 500 kilometra në jugperëndim të Moskës.

Por, një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Myhailo Podolyak, tha se sulmet në rajonin kufitar do të bëjnë që Rusia “të fillojë të kuptojë se lufta po zvarritet ngadalë brenda territorit rus”.

Podolyak sugjeroi edhe se operacioni do të forconte dorën e Kievit në rast të negociatave me Moskën, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së guvernatorit të rajonit, Alexei Smirnov, tha se “situata operacionale në rajonin e Kursk mbetet e vështirë.”

“Shërbimet sociale dhe shoqatat po ofrojnë ndihmë për njerëzit e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga luftimet”, tha Smirnov.

Lexo po ashtu Ukraina dërgojë brigadën më të fortë dhe më të shpejtë në Rusi

Bëhet e ditur se Rusia shpall emergjenca të nivelit federal kur ka më shumë se 500 viktima ose dëmet tejkalojnë 5.4 milionë euro.

Shifra e fundit e dhënë ruse për evakuimet nga Kursk ishte 3,000.

Ndryshe, sulmi erdhi ndërsa ushtria ukrainase përpiqet të zmbrapsë shtytjet intensive ruse kundër vijës së frontit në Ukrainën lindore, veçanërisht në rajonin e Donetsk.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington, tha se forcat ukrainase kanë vazhduar me “përparimet e tyre të shpejta” më thellë në rajonin e Kurskut, duke shkuar deri në 35 kilometra përtej kufirit.

Ukraina ka mbajtur gjithashtu strategjinë e saj për të goditur zonat shumë prapa frontit me dronë me rreze të gjatë, duke synuar vendet ushtarake, rafineritë e naftës dhe infrastrukturën. /Telegrafi/

Exit mobile version