Site icon Telegrafi

Rusia së shpejti mund të humbasë “qytetin e parë të madh të pushtuar” në Ukrainë – ja sa i rëndësishëm është ai

Udhëheqësit e instaluar nga Rusia në rajonin Kherson të Ukrainës të mërkurën filluan masivisht zhvendosjen e deri në 60,000 njerëzve mes paralajmërimeve mbi aftësinë e Rusisë për t’i bërë ballë një kundër-ofensive ukrainase.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, banorët në qytetin Kherson filluan të marrin mesazhe me tekst të mërkurën në mëngjes nga administrata pro-ruse.

“Të dashur banorë”, shkruhej aty. “Evakuohuni menjëherë. Do të ketë granatime të zonave të banuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Do të ketë autobusë nga ora 7:00, nga Rechport [porti i lumit] deri në Bregun e Majtë”.

Ndërkohë të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se kishte nënshkruar një ligj që vendos ligjin ushtarak në Kherson dhe tri rajone të tjera të Ukrainës që Kremlini pretendon se i ka aneksuar – në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Rajonet e tjera janë Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk.

Në daljen e tij të parë në televizionin shtetëror rus si komandant i ri i Kremlinit për Ukrainën, gjenerali Sergey Surovikin tha të martën në mbrëmje se situata në Kherson ishte “shumë e thjeshtë” dhe “shumë e vështirë”.

“Planet dhe veprimet tona të mëtejshme ndaj qytetit të Khersonit do të varen nga situata ushtarake dhe taktike në terren”, tha ai.

Forcat ukrainase kanë përparuar nëpër disa pjesë të rajonit Kherson javët e fundit, duke marrë fshatra dhe toka bujqësore përgjatë bregut perëndimor të lumit Dnipro, i njohur gjithashtu si Bregu i Djathtë.

Aftësia e Rusisë për të rifurnizuar trupat e saj në Kherson është penguar rëndë nga sulmet e shpeshta me raketa dhe artileri ukrainase mbi urat e kontrolluara nga Rusia që kalojnë Dnipro.

Shpërthimi në fillim të këtij muaji që dëmtoi rëndë urën e Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë, pengoi më tej logjistikën e Rusisë.

Kështu, javën e kaluar kreu i administratës së mbështetur nga Rusia i bëri thirrje Kremlinit për të ndihmuar në evakuimin e civilëve pranë vijës së frontit.

Të martën, retorika mori një nivel të ri.

Sapo ka kaluar ora 11:00 me orën lokale, Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës së mbështetur nga Rusia, postoi një video në kanalin e tij Telegram.

“Nazistët ukrainas të shtyrë nga Perëndimi do të fillojnë sulmin e tyre në Kherson shumë shpejt”, tha ai. “Ne po këshillojmë fuqimisht të largoheni nga zona e Bregut të Djathtë”.

Këtë mëngjes, pak pas orës 8 të mëngjesit, ai e vazhdoi këtë me: “Kaloni sa më shpejt të jetë e mundur në Bregun e Majtë [anën lindore] të lumit Dnipro”.

Disa orë më vonë, administrata e mbështetur nga Rusia shkoi aq larg sa mbylli të gjitha hyrjet në bregun e djathtë të lumit Dnipro për shtatë ditë.

Dhe zyrtarët ukrainas besojnë se më pak se gjysma e popullsisë civile të Khersonit kanë mbetur në qytet – rreth 130,000 njerëz.

Vladimir Saldo, udhëheqësi i mbështetur nga Rusia në rajonin Kherson, i tha televizionit shtetëror rus të martën në mbrëmje se ata planifikonin të zhvendosnin 50,000 deri në 60,000 njerëz nga e djathta në bregun e majtë të lumit Dnipro.

Udhëheqësit ukrainas në mërgim të rajonit Kherson i akuzojnë liderët rusë se kanë krijuar “histeri” për të frikësuar popullsinë dhe për të zbatuar “deportime vullnetare” në Rusi, ku atyre u është premtuar ndihmë për strehim.

“Nga njëra anë, ne e kuptojmë se Forcat e Armatosura të Ukrainës do të çlirojnë Kherson dhe rajonin – në përputhje me rrethanat, mund të ketë armiqësi aktive dhe ky është një rrezik për popullsinë lokale”, ka thënë për CNN, Yurii Sobolevskyi, nënkryetar i këshillit rajonal të Ukrainës për Kherson, përcjell Telegrafi.

“Nga ana tjetër, nuk ka asnjë garanci se njerëzit e evakuuar do të jenë të sigurt atje dhe larg vijës së frontit. Tani njerëzit marrin vendimet e tyre – të largohen ose të qëndrojnë. Është e vështirë të thuhet se çfarë vendimi do të marrin”.

“Dëbimi masiv i civilëve” nga Rusia, së bashku me abuzime të tjera të supozuara, mund të përbëjë krime kundër njerëzimit, sipas një raporti të korrikut nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në shtator, Këshilli i Sigurimit i OKB-së tha gjithashtu se dëbimi me forcë i Rusisë i 2.5 milionë njerëzve nga Ukraina – përfshirë 38,000 fëmijë – përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Ukraina gjithashtu denoncoi skemën e “filtrimit” të Rusisë në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar.

Zëvendësambasadorja e Ukrainës në OKB, Khrystyna Hayovyshyn tha se ukrainasit të detyruar të shkojnë në Rusi ose në territorin e kontrolluar nga Rusia po vriten dhe torturohen.

Hayovyshyn i tha Këshillit të Sigurimit se mijëra qytetarë ukrainas po deportohen me forcë në “rajonet e izoluara dhe depresive të Siberisë dhe Lindjes së Largët”.

Qytetarët ukrainas janë të terrorizuar, nën pretendimin e një kërkimi për njerëz “të rrezikshëm” nga autoritetet ruse, tha Hayovyshyn.

Sipas saj, ata që kanë pikëpamje të ndryshme politike ose janë të lidhur me qeverinë ose median e Ukrainës zhduken në një zonë gri. Fëmijët janë hequr nga “krahët e prindërve” të tyre, deklaroi përfaqësuesja e Ukrainës.

Qytetit jetik strategjik

Në ditët e para të fillimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë, kur mbretëroi konfuzioni, marrja e qytetit jugor të Khersonit ishte një fitore kryesore strategjike dhe propagandistike për Kremlinin.

Vetëm në ditën e shtatë të luftës, kryetari i Khersonit njoftoi se ushtarët rusë kishin hyrë në zyrën e tij dhe qyteti kishte rënë në duart e tyre.

Gjeografikisht, ishte jetike: Khersoni shtrihet në grykën e arteries qendrore të Ukrainës, lumit Dnipro, dhe jo shumë larg nga kanali që furnizon Krimenë me ujë.

Qeveria e Ukrainës e kishte mbyllur atë kanal në vitin 2014, kur Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin.

Ai ishte qyteti i parë i madh i pushtuar nga Rusia dhe i vetmi kryeqytet rajonal i marrë që nga shkurti.

Përveç Krimesë, forcat e mbështetura nga Rusia kanë kontrolluar qytetet Donetsk dhe Luhansk që nga viti 2014.

Ai gjithashtu është qendra e dytë më e madhe e popullsisë që Rusia ka pushtuar pas Mariupolit.

Shtatë muaj më vonë, Kremlini e konsideron rajonin Kherson si pjesë të Rusisë, pasi pretendoi ta aneksonte atë muajin e kaluar.

E megjithatë, të gjithë, nga liderët e caktuar të Rusisë në rajon deri te komandanti i ri i të gjithë përpjekjes së saj të luftës në Ukrainë, po japin alarmin për aftësinë e tyre për t’i bërë ballë një ofensive ukrainase në rajon.

Administrata kukull e Rusisë ka premtuar se nuk ka asnjë plan për të braktisur qytetin Kherson dhe se sapo ushtria të “zgjidhë të gjitha detyrat”, jeta normale do të kthehet.

Në fjalët e tij në televizionin rus, Surovikin, komandanti rus, përsëriti atë që është bërë paksa e zakonshme në qarqet ruse: se ushtria ukrainase po përgatitej të bombardonte qendrën e qytetit të Khersonit, madje edhe të godiste digën që është pjesë e një hidrocentrali në Nova Kakhovka dhe lëshojnë ujërat e përmbytjeve në zonat e ulëta në rrjedhën e poshtme.

Por zyrtarët ukrainas e kanë hedhur poshtë këtë ide si propagandë ruse.

Sipas shkrimit të CNN, nuk do të jetë e lehtë për Ukrainën të rimarrë qytetin Kherson nëse Rusia e kundërshton seriozisht atë dhe ushtria ukrainase do të hezitojë të sulmojë një qendër urbane ku mund të mbeten dhjetëra mijëra civilë.

Por forcat ushtarake të Ukrainës mbeten të vendosura ndaj ofensivës së Khersonit.

“Ne do të bëjmë përparim të rëndësishëm deri në fund të vitit”, citohet të ketë thënë të martën kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Ukrainës, gjeneralmajor Kyrylo Budanov.

“Këto do të jenë fitore të rëndësishme. Do ta shihni së shpejti”. /Telegrafi/

Exit mobile version