Rritja e lartë e shkallës së vdekshmërisë midis rusëve, ku një pjesë është rezultat i pandemisë COVID-19, ka bërë që Rusia në vitin 2020 të ketë rënien më të lartë demografike që nga Lufta e Dytë Botërore dhe shifrat për muajt e parë të këtij viti tregojnë se kjo rënie po vazhdon.
Në të vërtetë, nëse normat e regjistruara që nga fillimi i këtij viti vazhdojnë, Rusia do të ketë 1 milion më shumë vdekje sesa lindje.
Sipas Aleksandar Zhelenin, në muajin shkurt 2021, vdekjet ishin më të mëdha se lindjet sesa shifra e muajit të njëjtë të vitit të kaluar. Të dhënat e muajit janar 2021 ishin edhe më të këqija, pra një tejkalim prej 2.5 herë i vdekjeve krahasuar me lindjet.
“Nëse popullsia e Rusisë vazhdon të zvogëlohet me këto ritme, atëherë rezultatet për vitin 2021 mund të vendosin një rekord të trishtuar. Nuk përjashtohet që kjo shifër të mund të kalojë 1 milion njerëz”, thotë Zhelenin.
Kjo është më tepër sesa ishte rasti në vitet 1990 dhe më shumë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Sigurisht, në atë kohë askush nuk mund t’i quante humbjet e luftës si ‘natyrale’. Qeveria dëshiron të fajësojë pandeminë për të gjithë, por në fakt, ndërsa COVID-19 kishte një ndikim, kjo nxjerr në pah mangësitë e sistemit mjekësor të reformuar nga Vladimir Putin”, shton ai.
Siç njofton Agjencia ruse e Statistikave, në vitin 2020 vdiqën 2 milionë e 124 mijë rusë apo 324 mijë më shumë se një vit më parë.
“Padyshim, COVID-19 luajti një rol, por më shumë indirekt sesa direkt. Vdekjet e tepërta që pësoi Rusia për shkak të pandemisë në fakt ishin rezultat i politikës pararendëse të udhëheqjes në sistemin e kujdesit shëndetësor, i cili gjithnjë e më shumë është një dekorim, duke pasur parasysh shkurtimet që ka bërë Putini në emër të optimizimit”, përfundon Zhelenin.
Aktualisht, sipas Worldometer nga pandemia COVID-19 janë infektuar 4 milionë e 675 mijë e 153 rusë, ku prej tyre 104,398 kanë humbur jetën. /Telegrafi/