Moska pretendon se forcat ruse janë tërhequr nga ishulli i gjarprit në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes e ka quajtur vendimin për largimin nga ishulli i rëndësishëm strategjik nga Deti i Zi, si shenjë e “vullnetit të mirë”, transmeton Telegrafi.
Kjo ministri pretendon se ka demonstruar vullnet që t’i hap rrugë përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për hapjen e korridoreve humanitare që do të lejojnë eksportimin e produkteve të drithërave nga Ukraina.
“Kjo zgjedhje do të parandalojë spekulimin e Kievit për krijimin e qëllimshëm të krizës”, thuhet në kumtesën e kësaj ministrie të Rusisë.
Madje ata pretendojnë se tani gjithçka varet nga pala ukrainase, që nuk po pastron akoma brigjet e Detit të Zi nga minat e mjetet e tjera shpërthyese.
Kievi më herët ka njoftuar se nuk do të largojë minat nga ujërat përreth portit, pasi ato ishin atje për t’u mbrojtur nga rusët dhe flota e tyre në Detin e Zi, që kishin për objektiv qytetet si Odesa dhe Mykolaivin.
Në anën tjetër edhe Ukraina ka konfirmuar tërheqjen e trupave ruse nga ky ishull. /Telegrafi/