Ministria gjermane e Mbrojtjes ka nisur një hetim nëse janë përgjuar bisedat e përfaqësuesve të forcave ajrore të saj, të cilët, sipas propagandës ruse, dyshohet se kanë diskutuar për hedhjen në erë të urës së Krimesë me raketa Taurus.
Një zyrtar i ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha se Shërbimi Federal i Kundërzbulimit Ushtarak (BAMAD) kishte ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të hetuar incidentin.
Incidenti lidhet me publikimin nga propagandistja ruse, Margarita Simonyan të një bisede të supozuar mes disa gjeneralëve të forcave ajrore gjermane, duke diskutuar se si të vendosen raketat Taurus dhe të godasin urën e Krimesë.
Propaganda ruse ishte shumë e “trazuar” nga kjo histori dhe kërkoi në mënyrë aktive detaje për gjeneralët që mundi të identifikonte në videon me origjinë të panjohur, shkruan newsweek.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se qeveria gjermane duhet të shpjegojë komentet për videon me origjinë të paqartë, përndryshe do të konsiderojë se po e pranon fajin Berlini.
Kjo erdhi në një kohë kur diskutimet gjermane për furnizimin e mundshëm të raketave me rreze të gjatë Taurus në Ukrainë po intensifikoheshin, një lëvizje që qeveria federale e kundërshton kategorikisht.
Këtë javë, kancelari gjerman Olaf Scholz kundërshtoi edhe një herë dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë, duke deklaruar se kjo do të thoshte se Gjermania do të bëhej palë në luftë me Rusinë.
Ai tha se Gjermania nuk mund t’i japë Ukrainës “një armë me rreze veprimi prej 500 km, e cila në rast të përdorimit jo të duhur mund të godasë një objektiv specifik diku në Moskë”.
Pretendimet e mëparshme të Scholzit se përdorimi i armëve me rreze të gjatë nënkuptonte praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë për të përdorur raketa, tërhoqën kritika nga Britania e Madhe. /Telegrafi/