Telegrafi

Rusia po ua “shpërlan trurin” fëmijëve të rrëmbyer ukrainas

Një zyrtar i Kremlinit ka pohuar se më shumë se 700 mijë fëmijë janë transferuar nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i luftës, shumica e të cilëve nuk kishin mbikëqyrje prindërore.

Pak para këtyre komenteve, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë, Dame Melinda Simmons, i tha gazetës ukrainase, ArmyInform se ky veprim konsiderohet si rrëmbim i fëmijëve.

“Është e tmerrshme në çdo nivel të imagjinueshmes”, tha ajo, raporton skynews.

“Është shumë e qartë se nëse vidhni fëmijë nga një vend, po e bëni për të ndërprerë idenë se ekziston një brez i ardhshëm i qëndrueshëm që do të mbrojë vendin”, shtoi ajo.

Dëbimi i paligjshëm i fëmijëve konsiderohet krim lufte. Kjo është arsyeja pse Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti në muajin mars për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren e për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova – zyrtarja që foli për transferimin e qindra mijëra fëmijëve ukrainas.

Në muajin maj, Ukraina pretendoi se të paktën 16 mijë fëmijë ukrainas janë dërguar në Rusi.

Lexo po ashtu Forcat ruse kanë depërtuar mbi 700 mijë fëmijë ukrainas në Rusi

Dame Melinda tha se fëmijët e marrë ose të mbajtur nga Rusia i nënshtrohen një game të jashtëzakonshme dhe të pamëshirshme shpëlarjeje truri, e cila nga ana tjetër “krijon një pengesë psikologjike midis fëmijëve dhe prindërve të tyre”.

Ajo argumentoi se përveç nevojës për të gjetur fëmijët dhe për t’i kthyer në familjet e tyre, Ukraina do të duhej të merrej me mënyrën se si të sanonte dëmin e “shpëlarjes së trurit”.

Ndryshe, Dame Melinda do të largohet nga posti i saj në Ukrainë muajin e ardhshëm, për t’u zëvendësuar nga ish-zëvendës shefi i misionit në Kiev, Martin Harris. /Telegrafi/