Site icon Telegrafi

Rusia po përgatitet që një luftë gjithëpërfshirëse me NATO-n të ndodhë më shpejt sesa mendohej fillimisht – thotë ISW

Fokusi i udhëheqësit rus Vladimir Putin në ringjalljen e ekonomisë ruse nuk ka të bëjë vetëm me financimin e luftës së vendit kundër Ukrainës, tha të mërkurën Instituti për Studimin e Luftës (ISW).

“Disa tregues financiarë, ekonomikë dhe ushtarakë rusë sugjerojnë se Rusia po përgatitet për një konflikt konvencional në shkallë të gjerë me NATO-n, jo menjëherë, por me gjasë në një afat kohor më të shkurtër se sa disa analistë perëndimorë kanë parashtruar fillimisht”, citohet të ketë shkruar ISW në një raport më 20 mars, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Instituti citoi një takim që Putin zhvilloi me Dumën ruse të martën.

Lexo po ashtu Kremlini përdor për herë të parë fjalën "luftë", për pushtimin në Ukrainë

Takimi erdhi vetëm disa ditë pasi udhëheqësi rus shpalli një fitore në zgjedhjet e tij të pesta presidenciale të dielën.

Dhe siç thuhet më tej, gjatë takimit, Putin diskutoi fushat ku ai donte të fokusohej në mandatin e tij të pestë presidencial.

Lexo po ashtu Diga më e madhe e Ukrainës është goditur nga një sulm rus - publikohen pamjet

Gjëja më e rëndësishme, u tha Putin ligjvënësve, ishte “shpëtimi i njerëzve” dhe “ndihma e familjeve”.

“E gjithë kjo mund të bëhet, natyrisht, vetëm në bazë të zhvillimit ekonomik”, tha Putin të martën.

“Kjo është një çështje kyçe për zhvillimin e vendit tonë, mbi të cilën duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera të sovranitetit teknologjik dhe zhvillimit shoqëror”.

Putin gjithashtu sulmoi elitën e pasur të vendit, duke u kërkuar ligjvënësve që të mos udhëhiqen nga “interesat e korporatave apo edhe partiake”.

Sipas ISW, deklaratat e Putinit sugjerojnë se ai është i gatshëm të rrezikojë lidhjet e tij me “siloviki”, ish-zyrtarët e pasur të sigurisë që kanë qenë pjesë e bazës së tij politike.

ISW tha se ky ishte ndoshta sinjali i Putinit për elitën ruse se ata do të duhet të ndjejnë “disa dhimbje” për stabilitetin financiar të Rusisë.

Lexo po ashtu Pamje që tregojnë se si makina e fuqishme amerikane Humvee shpëtoi një ushtar ukrainas

“Përpjekjet e Putinit për të vendosur kushte për të stabilizuar ekonominë dhe financat e Rusisë janë me shumë gjasa pjesë e përgatitjeve financiare dhe të brendshme ruse për një konflikt të mundshëm të ardhshëm në shkallë të gjerë me NATO-n dhe jo vetëm për një luftë të zgjatur në Ukrainë”, ka shtuar ISW në raport.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që analistët thonë se një luftë midis Rusisë dhe NATO-s mund të jetë e afërt.

Lexo po ashtu Forcat e Ukrainës nuk përjashtojnë mundësinë e ofensivës ruse këtë verë – tregojnë “pikën më të dobët që kanë”

Shërbimi i inteligjencës së jashtme të Estonisë theksoi në një raport muajin e kaluar se Rusia po përgatitet për një “konfrontim me Perëndimin”.

“Rusia ka zgjedhur një rrugë që është një konfrontim afatgjatë”, u tha gazetarëve shefi i agjencisë Kaupo Rosin në prezantimin e raportit, për Reuters.

“Kremlini me siguri po parashikon një konflikt të mundshëm me NATO-n brenda dekadës së ardhshme apo më tej”. /Telegrafi/

Exit mobile version