Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se bombardimet në Ukrainën lindore gjatë 48 orëve të fundit janë pjesë e përpjekjeve ruse për të krijuar “provokime të rreme” për të justifikuar “agresionin” e mëtejshëm.
“Ajo që ka ndodhur në 24-48 orët e fundit është pjesë e një skenari që është tashmë në vend, për krijimin e provokimeve të rreme, për t’iu përgjigjur më pas atyre provokimeve dhe më pas kryerja e një agresioni të ri kundër Ukrainës”, tha Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Ushtria e Ukrainës dhe rebelët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit dhe vënien në cak të civilëve.
Duke folur më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ngjarjet në Donbas ishin “shumë shqetësuese”, duke paralajmëruar se situata atje dukej potencialisht shumë e rrezikshme.
Ndryshe, presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të flasë sot për krizën Ukrainë-Rusi, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan Joe Biden do të flasë për krizën Ukrainë-Rusi në orën 16:00. ET të premten, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë. /Telegrafi/