Telegrafi

Rusia po ka vështirësi të gjejë të tjerë ushtarë për të luftuar në Ukrainë

Rusia thuhet se po ka vështirësi të gjejë më shumë ushtarë për të luftuar në Ukrainë dhe ka zgjeruar përpjekjet e rekrutimit duke eliminuar kufirin e moshës dhe duke kërkuar edhe nga të burgosurit.

“Shumë prej këtyre rekrutëve të rinj janë parë si më të vjetër, të papërshtatshëm dhe të trajnuar keq”, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i Pentagonit, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nxori javën e kaluar një dekret sipas të cilit ushtria e tij do të rritet me rreth 10%, në 1.15 milionë ushtarakë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Pasi përjetoi pengesa të konsiderueshme dhe humbje të rënda trupash në gjashtë muaj pas pushtimit të Ukrainës, Pentagoni beson se “kjo përpjekje nuk ka gjasa të ketë sukses, pasi Rusia historikisht nuk ka përmbushur objektivat e personelit dhe forcës”, tha zyrtari.

Përfundimi i Pentagonit është se çdo rekrutë i shtuar mund të mos zgjerojë efektivisht fuqinë e përgjithshme luftarake deri në fund të vitit, sipas zyrtarit.

Një pretendim i tillë vjen në kohën kur kundërofensiva e shumëpritur nga trupat ukrainase duket se ka nisur në rajonin jugor të Khersonit, me presidentin, Volodymyr Zelensky, duke thënë: “Nëse ata duan të mbijetojnë, është koha që ushtria ruse të arratiset”.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, trupat ukrainase kanë thyer mbrojtjen ruse në disa zona të vijës së frontit pranë qytetit të Kherson, pretendoi të hënën një këshilltar i lartë i Zelenskyt.

Oleksiy Arestovych tha në një intervistë se forcat ukrainase po bombardonin gjithashtu tragetet në rajonin Kherson që Moska po përdor për të furnizuar territorin e pushtuar nga Rusia në bregun perëndimor të lumit Dnieper.

Ndonëse nuk iu referua konkretisht kundërofensive gjatë fjalimit të tij të së hënës në mbrëmje, Zelensky tha: “Okupatorët duhet ta dinë: ne do t’i dëbojmë ata deri në kufi. Në kufirin tonë, vija e të cilit nuk ka ndryshuar”. /Telegrafi/