Site icon Telegrafi

Rusia nuk kishte dhënë garanci për jetën e presidentit amerikan, Biden nuk hezitoi të shkonte në Kiev

Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi se ajo nuk i ofroi garanci sigurie presidentit amerikan, Joe Biden pasi Uashingtoni e informoi Moskën për vizitën në Kiev.

“Shtetet e Bashkuara informuan Rusinë për vizitën e Bidenit në Kiev përmes kanaleve diplomatike. Ne nuk kemi dhënë garanci për sigurinë e tij”, tha drejtori i FSB-së, Aleksandar Bortnikov, raporton skynews.

Biden vizitoi dje papritmas Kievin, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, një ditë para vizitës në Poloni.

Lexo po ashtu Çka shkruan në pllakën kushtuar Bidenit me rastin e vizitës në Ukrainë

Të hënën, mediat botërore raportuan fjalët e këshilltarit të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, se SHBA-ja kishte informuar Kremlinin për vizitën e presidentit amerikan në Kiev “disa orë” përpara arritjes së tij.

Të dielën, zyra e presidentit publikoi një plan për të hënën, i cili sugjeronte se ai ishte ende në Uashington dhe se do të udhëtonte në mbrëmje për në Varshavë.

Por, Biden ishte tashmë në anën tjetër të botës, pasi ai udhëtoi për në Evropë në orën 4 të mëngjesit të së dielës.

Delegacioni amerikan kaloi kufirin ukrainas me tren, duke udhëtuar për gati dhjetë orë drejt Kievit, ku qëndroi për pesë orë. /Telegrafi/

Exit mobile version