Site icon Telegrafi

Rusia nisi “një nga sulmet më të mëdha” ajrore në qytete dhe rrjete energjetike në të gjithë Ukrainën, thotë Zelensky

Rusia nisi një sulm “masiv” me raketa dhe me dron që synonte infrastrukturën energjetike në të gjithë Ukrainën gjatë natës së të hënës, thanë zyrtarët ukrainas, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa qytete.

Në sulme u përdorën “më shumë se 100 raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth 100 drone Shahed”, tha presidenti ukrainas Volodmyr Zelensky, duke e quajtur atë “një nga sulmet më të mëdha” në më shumë se dy vjet e gjysmë të luftës, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se zbuluan dhjetëra raketa dhe dronë që synonin pothuajse të gjitha rajonet e vendit, nga rajonet lindore të vijës së parë të Kharkiv dhe Dnipro deri në qytetin port jugor të Odesa-s, si dhe kryeqytetin, Kiev.

“Terroristët rusë kanë vënë në shënjestër edhe një herë infrastrukturën energjetike”, shkroi kryeministri ukrainas Denys Shmyhal të hënën në Telegram.

Të paktën 15 rajone u shënjestruan nga një kombinim i dronëve dhe raketave, tha ai.

Kompania kombëtare e energjisë e Ukrainës, Ukrenergo, është detyruar të zbatojë ndërprerje emergjente të energjisë për të stabilizuar sistemin, tha Shmyhal.

Ndërprerjet e energjisë janë regjistruar në disa qytete, duke përfshirë Kiev dhe Dnipro, sipas Serhii Kovalenko, shefi ekzekutiv i kompanisë energjetike Yasno.

Ukraina ishte përgatitur për një sulm të madh rus për javë të tëra, në përgjigje të inkursionit tronditës të Kievit në rajonin kufitar të Kursk – pushtimi i parë i huaj i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përpara Ditës së Pavarësisë së Ukrainës të shtunën, Ambasada e SHBA-së në Kiev kishte paralajmëruar për një rrezik në rritje të sulmeve me dronë dhe raketa ruse.

Sulmi brenda natës erdhi disa orë pasi ministria e jashtme e Ukrainës i bëri thirrje Bjellorusisë që të tërheqë atë që e përshkroi si një grumbullim “të rëndësishëm” të forcave dhe pajisjeve bjelloruse në kufirin e tyre të përbashkët.

Kievi gjithashtu raportoi se ish-mercenarët e Wagner ishin në mesin e trupave në kufi dhe i kërkoi Minskut “të mos bënte gabime tragjike për vendin e tyre nën presionin e Moskës”. /Telegrafi/

Exit mobile version