Telegrafi

Rusia në prag të luftës civile, thotë shefi i spiunazhit të Ukrainës

Ilustrim

Kreu i agjencisë së spiunazhit të Ukrainës, GRU, ka analizuar gjendjen pas rebelimit jetëshkurtër të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozin.

Gjeneral-major Kyrylo Budanov tha se është bërë një studim i brendshëm sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë (MVD) ku është ekzaminuar situata për të përcaktuar nivelet e mbështetjes publike për kryengritjen.

Ai tha se zbuloi se gjatë rebelimit, themeluesi i Wagnerit kishte mbështetje popullore në 17 nga 46 rajonet e Rusisë, krahasuar me 21 për presidentin rus, Vladimir Putin – ndërsa mbështetja për secilin prej tyre ishte e ngjashme në rajone të tjera.

“Kjo është ajo që ne shohim tani – që shoqëria ruse është copëtuar në dy pjesë”, tha gjenerali Budanov për The Times, raporton skynews.

“Situata po tregon pikërisht atë për të cilën ka folur shërbimi ynë: se Federata Ruse është në prag të luftës civile. Duhet të ketë një ‘çështje’ të vogël të brendshme dhe konflikti i brendshëm do të intensifikohet”, shtoi ai.

Ndryshe, Prigozhin pas dështimit të puçit ushtarak kishte shkuar në Bjellorusi gjersa presidenti i këtij vendi, Alexander Lukashenko ka deklaruar sot se shefi i Wagnerit është rikthyer në Rusi. /Telegrafi/