Telegrafi

Rusia ndeshet me mijëra trupa ukrainase thellë në territorin e saj pas inkursionit

Beteja intensive janë ndezur së fundmi në kufirin rus, pasi mijëra trupa ukrainase nisën një inkursion në shkallë të gjerë në vendin që i pushtoi ato në vitin 2022.

Bëhet e ditur se trupat ukrainase janë vendosur deri në 20 kilometra thellë në territorin rus të Kurskut.

Forcat e Kievit kishin nisur një sulm mbi kufirin rus të martën, duke përfshirë rajonin Kursk në një sulm të befasishëm të mbështetur nga dronë dhe zjarr artilerie.

Në shenjë të sulmit, Rusia vendosi një regjim sigurie në tre rajone kufitare të shtunën, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, ajo njoftoi një emergjencë “në nivel federal”, duke evakuuar mbi 76 mijë njerëz nga rajoni i Kurskut.

Lexo po ashtu Ukraina po godet objektiva qindra kilometra thellë brenda Rusisë për tre arsye kryesore, flasin ekspertët

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky, e pranoi se lufta po kalon në territorin rus gjatë fjalimit të tij shtunën, duke theksuar përpjekjet e Ukrainës për të shtyrë konfliktin përtej kufijve të saj.

Ai vlerësoi forcat ukrainase për përpjekjet e tyre, duke vënë në dukje raportet e zyrtarëve ushtarakë dhe përparimet e tyre.

Zelensky theksoi aftësinë e Ukrainës për të ushtruar presion mbi agresorin, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në dinamikën e konfliktit ndërsa ai shtrihet në territorin rus. /Telegrafi/