Telegrafi

Rusia kreu sulmin e tretë me raketa balistike në Kiev këtë muaj – ukrainasit tregojnë detajet

Rusia kreu të dielën sulmin e tretë me raketa balistike në Kiev këtë muaj, por të dhënat paraprake treguan se shumica e predhave u rrëzuan, tha administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas.

“Ky është tashmë sulmi i tretë balistik në kryeqytet në gusht, me intervale të sakta prej gjashtë ditësh midis çdo sulmi”, tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Popko tha se rusët me shumë gjasa kishin përdorur raketa balistike të prodhuara nga Koreja e Veriut.

Por Reuters shkruan se nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur llojin e raketave të lëshuara.

Më vete, komandanti i forcave ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, theksoi se ushtria e tij kishte shkatërruar tetë dronë sulmues rusë dhe pesë nga tetë raketa të lëshuara gjatë natës në të gjithë vendin, duke përfshirë Kievin.

Zyrtarët e Kievit thanë se nuk kishte raporte të menjëhershme për viktima apo dëme në kryeqytet.

Megjithatë, guvernatori i rajonit të Kievit, Ruslan Kravchenko tha se dy shtëpi private u shkatërruan dhe 16 të tjera u dëmtuan nga rrënojat.

Rreth dy orë pas sulmit fillestar, Kievi, rajoni i tij përreth dhe pjesa më e madhe e Ukrainës qendrore dhe verilindore ishin nën alarme të reja sulmi, me kërcënime për më shumë raketa që drejtoheshin drejt qytetit, kanë bërë të ditur forcat ajrore të Ukrainës. /Telegrafi/