Sulmet me raketa ruse në bregun e Detit të Zi të Ukrainës kanë shkatërruar 60 mijë ton grurë dhe kanë dëmtuar infrastrukturën e magazinimit.
Ministri ukrainas i Bujqësisë, Mykola Solskyi tha se një “sasi e konsiderueshme” e infrastrukturës së eksportit është jashtë funksionit.
Rusia është tërhequr nga një marrëveshje që garanton kalim të sigurt të grurit përmes Detit të Zi, raporton bbc.
Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi Perëndimin për përdorimin e marrëveshjes së grurit si “shantazh politik”.
Rusia filloi të shënjestrojë portet e Ukrainës në orët e para të së martës, pak orë pas tërheqjes së saj nga marrëveshja e grurit.
Sulme të tjera pasuan gjatë natës së të mërkurës, duke synuar terminalet e grurit dhe infrastrukturën portuale në Odesa dhe më tej në bregun e Detit të Zi në Chornomorsk, dy nga tre portet që u përfshinë në marrëveshjen e eksportit.
Të paktën 12 civilë, përfshirë një djalë nëntë vjeçar, u plagosën gjatë sulmeve, të cilat shkaktuan gjithashtu dëme në blloqe banesash, thanë zyrtarët ushtarakë.
Ndryshe, Franca dhe Gjermania e kanë dënuar sulmin e ushtrisë ruse në Ukrainë. /Telegrafi/