Telegrafi

Rusia fut Shqipërinë në listën e vendeve “jomiqësore”

Federata Ruse ka miratuar sot një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që sipas tyre kryejnë “veprime jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

E në këtë listë janë përfshirë edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë që janë vënë fillimisht nga shtetet perëndimore si kundërpërgjigje për agresionin ushtarak rus në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

Dokumenti është nënshkruar nga kryeministri rus Mikhail Mishustin, ku sipas ueb-faqes së ekzekutivit në Moskë, urdhri është përgatitur sipas dekretit presidencial.

Qeveria ka vënë në dukje ku sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vet shteti, rajonet dhe komunat e saj që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla.

Për të bërë pagesa të tilla, qeveria shpjegoi se debitorët duhet të hapin një lloj të veçantë llogarie rubla në një bankë ruse dhe të transferojnë në të ekuivalentin e rublës së shumës së monedhës së huaj – që i detyrohet – sipas kursit zyrtar të këmbimit të bankës qendrore në ditën e pagesës.

Ndryshe vendet perëndimore që i kanë vënë sanksione Rusisë përfshijnë largimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare e njohur si SWIFT si dhe mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.

E tre vendet e Ballkanit që janë të përfshira në këtë listë – që të gjitha janë vende anëtare të NATO-s. /Telegrafi/